Gazetari strugan nga Nju Jorku: Koronavirusi e gjeti shtetin amerikan të papërgatitur
Virusi Korona gjeti SHBA-të të papërgatitura. Në fillim të shfaqjes së këtij virusi në SHBA mungonin maskat dhe mjetet tjera mbrojtëse. Kështu deklaroi në “Rruga drejt…”, Faton Arifi, gazetar që jeton dhe vepron në SHBA. Sipas tij tmerruese është fakti që kanë paralajmëruar ekspertët amerikanë se në rastin më të mirë të mundshëm do të ketë diku 100 mijë viktima, por sipas tij, (duke u thirrur në mendimin ekspertëve) nuk përjashtohet mundësia që kjo shifër të jetë dyfish më e lartë, madje parashikimet flasin për diku rreth 240 mijë viktima.
“Më tmerrues është fakti dhe statistikat të cilat i japin ekspertët amerikanë për ditët në vazhdim, kanë thënë se shifrat do të arrijnë në rastin më të mirë deri në 100 mijë, por ky numër mund të shkoj deri në 240 mijë viktima. Ky raport deri diku ka tmerruar dhe ka stresuar amerikanët, por sigurisht që qeveria në këtë moment duhet të jetë e sinqertë dhe duhet të jetë sa më alarmuese që qytetarët të marrin masa. Do të thotë rrugët janë plotësisht të zbrazëta, njerëzit janë të frikësuar, të gjithë përpiqen të shfrytëzojnë maska. Qeveria vazhdimisht bënë apele për kujdes, janë bllokuar të gjitha bizneset, nuk funksionojnë. Fillimisht dua të theksoj se Amerika nuk ishte plotësisht e përgatitur për këtë situatë. Imagjinoni kishte mungesë të theksuar të maskave dhe mjeteve mbrojtëse për të cilat qeveria mori masa ekstreme për tu furnizuar më pas”, deklaroi Faton Arifi, SHBA.