Një ditë – Prof.Xhemi Hajredini
Një ditë
Me hir a me pahir,
një ditë do të bëhet më mirë,
do të jemi të lirë, të lirë.
Edhe të paudhët paskan ditëvdekje,
shpirtrobërit kanë mbushur ditë,
do ikin duke fjetur a në mesditë.
Do të bëhet më mirë një ditë,
të shtypurit do të dalin n’dritë,
dielli sytë do t’ua shndrit’.
Një ditë të rinjtë nuk do të largohen,
në vatrën e tyre do të lartohen,
shtëpitë do mbushin e do shtohen.
Është mall nëne jo ëndërr poeti,
lëndojnë rrugët nga përtejdeti,
një kothere bukë e dashuri,
ka në shtëpi, në shtëpi.
Një ditë do të bëhet më mirë,
Më mirë, më mirë,
të lirë, të lirë…
Strugë, 27-28 mars 2019